Benzema, ende jashtë kombëtares, Deschamps e konfirmon

22/02/2016 00:00

Karim Benzema nuk do të jetë ende pjesë e kombëtares franceze, pavarësisht vendimit të gjykatëses Butard për heqjen e kontrollit gjyqësor ndaj tij për çështjen Valbuena.

Ai që e konfirmoi këtë ishte vetë trajneri Didier Deschamps në një intervistë për “Canal+” në Francë.

“Benzema ende nuk mund të grumbullohet në kombëtare”, tha Deschamps. “Heqja e kontrollit gjyqësor është një hap përpara, por jo përfundimtari. Ka një apelim të prokurorisë për këtë çështje dhe është më mirë që të lëmë drejtësinë të bëjë punën  e saj. Në momentin që ai do të jetë i lirë për t’u grumbulluar, unë do të bëj të ditur vendimin tim”.

Deschamps kohët e fundit është bërë objekt i presioneve të shumta në vendin transalpin për listën e futbollistëve që do të përpilojë për miqësoren me Holandën në 25 mars dhe atë me Rusinë në 29 mars.

“Në aspektin sportiv kam shumë dëshirë që të kem në dispozicion lojtarët më të mirë”, vijoi Deschamps. “Por në rastin e Benzema ekziston një çështje gjyqësore. Të shohim sesi do të shkojnë gjërat duke qenë se është bërë edhe hapi i parë”.

Benzema rrezikon seriozisht të humbasë Europianin e këtij viti që do të zhvillohet pikërisht në Francë. Ai është nën akuzë për bashkëpunim në shantazhin e Valbuena-s dhe për lidhje me grupe kriminale gjë që mund ta dënojë me 5 vjet heqje lirie.

Top Channel