Vriten diplomatët serbë, Vuçiç: Do liroheshin, nëse nuk do i sulmonin amerikanët

22/02/2016 00:00

Libër zie për dy diplomatët serbë, Sladjana Stankoviç e Jovica Stepiç, të cilët përkundër negociatave disamujore u vranë në Libi. Forcat amerikane kanë bombarduar një vendndodhje, ku ata po mbaheshin peng.

Dy diplomatët serbë ishin marrë pengje në nëntor të vitit të kaluar, ndonëse ende nuk dihet përse Serbia kishte një përfaqësi diplomatike në këtë vend. Negociatat e gjata kishin dhënë shpresë se, ata do të liroheshin. Kështu pohojnë edhe autoritetet serbe.

Në Ministrinë e Jashtme, diplomatët bënë homazhe, përfshirë edhe ambasadorin amerikan.

“Kjo është një goditje e rëndë për ne. Është hera e parë pas shumë vitesh dhe përbën një krizë të thellë, kur diplomatët tanë bëhen viktima”, tha Ivica Daçiç, ministër i Jashtëm i Serbisë.

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç tha se, jozyrtarisht është bërë e ditur se pengmarrësit kishin ndërruar vendndodhjen e tyre në momentet e fundit.

“Njerëzit tanë do të liroheshin, nëse nuk do të ishin vrarë në sulmin e aleancës, përkatësisht atë amerikan”, tha Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë.

Aleanca perëndimore krijon një ndjenjë tjetër, në një vend që gjithashtu është bombarduar më parë. Shumë media ngrenë dilema, nëse Serbia duhet të jetë neutrale ushtarakisht.

“Serbia është duke pritur një përgjigje nga Amerika sesi erdhën deri te sulmi në momentet që pritej lirimi i tyre. Kthimi në atdhe është duke u organizuar nga qeveria serbe”.

Top Channel