Rreth 600 emigrantë nga Afganistani, për 4 ditë me radhë janë mbajtur të bllokuar në qendrën tranzitore ‘Tabanocë’, në kufirin verior të Maqedonisë me Serbinë. Ata kanë hyrë në Maqedoni në mënyrë ligjore dhe zotërojnë dokumente të rregullta udhëtimi, megjithatë nuk dihet përse autoritetet serbe e kanë mbyllur kufirin për ta dhe nuk i lejojnë të lëvizin drejt Europës.

“Udhëtimi ynë deri këtu ka zgjatur afro një muaj. Ndërkaq, për të 4-tën ditë me radhë qëndrojmë këtu. Çdo natë, grupeve të ndryshme nga Siria dhe Iraku u lejohet të kalojnë kufirin, ndërsa neve na thonë të ndalemi, për shkak se vijmë nga Afganistani. Ne kemi gjithashtu dokumente të rregullta”, thotë Masuma Amiri, emigrante nga Afganistani.

Qendrën tranzitore në Tabanocë e kanë vizituar të hënën edhe Avokatët e Popullit të vendeve të Mesdheut. Avokati i Popullit në Shkup, Ixhet Mehmeti tha se, autoritetet kroate dhe serbe kanë paralajmëruar se do të kthejnë në Maqedoni mbi 1500 emigrantë, gjë që – sipas tij, – do ta komplikonte edhe më tepër situatën.

“Unë nuk e di sesi do të jetë situata në ditët në vijim, por jam i bindur se problemi do të rritet. Jo rastësisht thashë se priten edhe grupe të tjera të kthehen pas”, u shpreh Ixhet Mehmeti, Avokati i Popullit në Maqedoni.

Përfaqësuesit e organizatave humanitare thonë se, qendra tranzitore në Tabanocë nuk plotëson kushtet minimale për strehimin e emigrantëve.

“Duke pasur parasysh se kjo është qendër tranzituese dhe jo një qendër pranuese, kushtet nuk janë të mjaftueshme, por janë organizatat humanitare, ato që po tentojnë të plotësojnë nevojat e tyre me ushqime”, tha Driton Maliqi, aktivist humanitar.

Ndërkohë, në Maqedoni askush nuk jep përgjigje se, çfarë do të ndodhë me 600 emigrantët e bllokuar në kufirin verior.

Top Channel