Zgjedhjet në FIFA, afron dita e votimit për kreun

22/02/2016 00:00

Data 26 shkurt do të jetë vendimtare për FIFA-n pasi do të mësohet emri i presidentit të ri të saj.

Në garë për këtë post të institucionit më të lartë të futbollit botëror janë 5 kandidatë dhe bëhet fjalë për Princin Ali Al Husein të Jordanisë, sheiku Al Khalifa nga Bahreini, Jerome Champagne nga Franca, Gianni Infantino nga Italia e Zvicra dhe Tokyo Sexwale nga Afrika e Jugut.

Ata që kanë një avantazh në këtë garë janë pikërish Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Gianni Infantino dhe Sheiku al Khalifa, i cili ka mbështetjen e Konfederatës Aziatike të Futbollit dhe të Konfederatës Afrikane, ndërsa 45 vjeçari Infantino gëzon mbështetjen e UEFA-s dhe të Konfederatës Amerikanolatine të futbollit.

Për italianin Infantino kanë shprehur mbështetjen edhe klubet më të mëdha të futbollit europian, drejtuesit e të cilëve kanë punuar së bashku me të nën logon e Shoqatës Europiane të Klubeve.

“O tani o kurrë. Na jepet mundësia të bëjmë kthesën dhe të përmirësojmë FIFA”, ishte mesazhi i Infantino-s. “Duhet të punojmë së bashku për futbollin dhe ky është momenti i duhur për këtë”.

Vitin e kaluar Federata Ndërkombëtare e Futbollit u bë protagoniste e një skandali të madh korrupsioni, ku u përfshinë 41 zyrtarë të lartë të, cilët janë vënë nën hetimin e drejtësisë amerikane dhe asaj zvicerane.

Top Channel