Kosovë, diskutohet raporti i BB për “të bërin biznes”

22/02/2016 00:00

Këshilli Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik në Kosovë ka diskutuar raportin e Bankës Botërore të “të bërit biznes” dhe për sfidat e investitorëve për zgjedhjen e konflikteve gjyqësore.

Në mungesë të kryeministrit Isa Mustafa, i cili po për çështje të zhvillimit ekonomik po merr pjesë në Samitin e investimeve në Ballkanin Perëndimor në Londër, Këshillin e udhëhoqi ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Ajo tha se, sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore, gjatë vitit 2015 në Kosovë janë bërë 315 milionë euro investime të huaja direkte.

Ministrja Bajrami shtoi se, qeveria po kujdeset që përmes miratimit të projektligjit për investimet strategjike, i cili ndodhet në procedura parlamentare, të mbrohen investitorët e huaj, por edhe ata vendas.

Në këtë takim është diskutuar edhe për raportin e Bankës Botërore të “të bërit biznes”, ku Kosova është radhitur në vendin e 66, nga 189 vende të botës.

Eksperti i Bankës Botërore, Ernesto Franco Temple tha se, Kosova ka shënuar progres në “të bërin biznes”, mirëpo ai përmendi gjithashtu disa ngecje në disa tregues, për të cilat edhe rekomandoi disa reforma strukturore, që nxisin efikasitetin institucional dhe klimën e “të bërit biznes” në Kosovë.

Ndërkohë, përfaqësuesit e bizneseve kërkuan nga Këshilli Gjyqësor, që të rrisë numrin e gjyqtarëve për shqyrtimin më efikas të çështjeve të biznesve, pasi ka raste që një lëndë të mos marrë zgjidhje deri në dy vite.

Kryesuesi i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi premtoi se do të kërkojë rritjen e numrit të gjyqtarëve, gjë që do të ndikonte në mënyrën që një konflikt të zgjidhet më së largu për 6 muaj.

Top Channel