Nuk po ratifikohet lëvizja e lirë Kosovë-Maqedoni, kriza bllokon marrëveshjen

22/02/2016 13:20

Kriza politike dhe bllokimi i punës së Kuvendit të Kosovës po zvarrit edhe ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, e cila mundëson lëvizjen pa pasaporta për qytetarët e dy vendeve.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, tha gjatë një vizite në Prishtinë se marrëveshja e nënshkruar nga ministrat e Jashtëm nga Kosova dhe Maqedonia është përmbyllur nga ana e Shkupit zyrtar.

“Ne menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes kemi filluar procedurat dhe në Parlamentin e Maqedonisë u ratifikua. Tani është vetëm çështje operative dhe teknike implementimi i saj”, shpjegoi Besimi.

Por në Prishtinë institucionet ende nuk e kanë proceduar marrëveshjen në Parlament, për shkak të bllokimit të punës së legjislativit.
Ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku tha se duhet pritur kthimi i normalitetit në Kuvend për të ratifikuar edhe këtë marrëveshje me Maqedoninë: “Ju e dini, kjo e bën të domosdoshme funksionalizimin e punës në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Pra, duhet të kemi institucione normale, të qëndrueshme dhe të besueshme që të kryejnë punët e tyre”.

Këto komente Çollaku dhe Besimi i bënë pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërshtetërore për bashkëpunim për çështje të integrimit në Bashkimin Evropian, e cila parashikon shkëmbim të përvojave mes Shkupit dhe Prishtinës zyrtare.

Top Channel