Në rreth 5.000 vetë përllogaritet numri i refugjatëve që janë grumbulluar në 24 orët e fundit në fshatin grek Eidomeni, në kufirin greko-maqedonas, pasi autoritetet e Maqedonisë kanë mbyllur kufirin për të gjithë refugjatët nga Afganistani, duke ndjekur shembullin e Serbisë që ka vepruar në të njëjtën mënyrë prej ditës së shtunë në mbrëmje.

Rreth 2.000 emigrantë janë vendosur në kampin pranë pikës kufitare, ndërsa 3.100 të tjerë ndodhen brenda 62 autobusëve pak kilometra më larg, në mënyrë që të shmanget kaosi.

Gjithashtu, policia maqedonase, që lejon vetëm 100 persona në një orë, ka urdhëruar që të mos kalojnë kufirin edhe refugjatët sirianë dhe ata nga Iraku, të cilët nuk janë të pajisur me pasaporta, duke e quajtuar të pavlefshëm dokumentin e regjistrimit në pikat e hyrjes në ishujt grekë.

Ministri grek i Emigracionit ka deklaruar pak orë më parë se ky veprim i Shkupit është në kundërshtim me vendimet e samitit të BE-së javën e kaluar dhe se Athina ka filluar lëvizjet e saj diplomatike.

Ndërsa presidenti i PE, Martin Shultz, në një emision për kanalin shtetëror gjerman ARD ka deklaruar se: “Nëse mbyllet korridori ballkanik, këta njerëz do të përpiqen të arrijnë në Shqipëri, në Maqedoni, Mal të Zi, ose do të kalojnë nga Adriatiku për në Itali e më pas në Austri”.

“Nëse do të mbyllen kufijtë me Maqedoninë dhe Bullgarinë, Greqia do të bëhet një parking refugjatësh dhe të gjitha këto nuk do të zgjidhnin problemin”, ka theksuar Shultz.

Në të njëjtën kohë, 4.080 refugjatë të tjerë që kanë mbërritur nga ishujt Lesbos dhe Hios kanë mbetur të bllokuar në portin e Pireut, pasi autoritetet greke nuk kanë sjellë autobusë, sepse nuk dinë ku t’i çojnë për shkak të gjendjes në kufirin greko-maqedonas.

Top Channel