Batuta e radhës e Berluskonit: Ka “racizëm” te Milan

21/02/2016 00:00

Silvio Berluskoni ka shtangur shpeshherë me batutat e tij në mjedise të ndryshme, qofshin ato mbledhje kryeministrash, seminarë kontinentalë apo takime informale.

Por presidenti i Milanit këtë herë ka përfunduar në shënjestrën e kritikëve që e akuzojnë për racizëm dhe e gjithë kjo për një frazë të thënë në skuadrën e futbolit të Milanit që italiani e ka në pronësi.

Politikani i Apenineve që vazhdon të ketë influencë të madhe në gadishull, ka ironizuar ngjyrën e lëkurës së sulmuesit Mario Baloteli, një futbollist që jo në pak stadiume vuan koret raciste dhe parullat ofenduese të tifozëve kundërshtarë.

“Mario Balotelli është një italian që ka ndenjur për shumë kohë në diell”. Pikërisht kjo frazë inkriminuese e ka shoqëruar festën e presidentit Silvio Berluskoni, që ishte organizuar për 30-vjetorin e  drejtimit të Milan.

Por kjo nuk është hera e parë që Berluskoni akuzohet për racizëm. Në vitin 2008 ai e cilësoi presidentin amerikan Barack Obama, një njeri të bukur, të talentuar dhe të nxirë nga dielli.

Top Channel