PSG, dëmtohen Di Maria dhe Verratti

21/02/2016 00:00

Dëmtimet e Angel di Maria dhe Marco Verratti e kthyen në një faturë të kripur suksesin e PSG-së në kampionatin francez të futbollit.

Skuadra që po dominon vitet e fundit kampionatin transalpin dhe vetëm matematika i mohon rikonfirmimin në fron, dhuroi spektakël në ndeshjen ndaj Reims të cilën e fitoi 4-1.

Por, si mesfushori Di Maria, ashtu dhe italiani Verratti, kërkuan ndihmë mjekësore, edhe pse trajneri Blanc i qetësoi tifozët duke ulur shkallën e dëmtimit.

Argjentinasi i PSG u zëvendësua para se ekipet të shkonin në pushim, ndërsa Verratti më pas i la vendin Matuidi.

“Di Maria ka një dëmtim të vogël muskular ndërsa Marco Verratti një inflamacion që nuk është serioz sipas mjekëve. Këto janë probleme të cilët duhet t’i trajtojmë me kujdes në ditët në vijim. Duhet një periudhë dekompresimi pasi kemi shpenzuar shumë energji” tha trajneri i PSG-së.

Dy futbollistët fillimisht u përfolën se mund të mungojnë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Chelseat, por Blanc mendon të kundërtën.

Di Maria ka luajtur 33 ndeshje për parizienët që kur zbarkoi nga United. Ai ka shënuar 9 gola dhe ka dhënë 10 asiste.

Top Channel