Filmi për refugjatët fiton në Festvalin e Berlinit

20/02/2016 22:25

“Zjarr në mes të detit”, një dokumentar mbi krizën e emigrantëve që ka përfshirë Europën, ka fituar Ariun e Artë si filmi më i mirë në Festivalin e Filmit në Berlin.

Duke pranuar çmimin, dorëzuar nga aktorja amerikane Meryl Streep, regjisori Gianfranco Rosi tha:

“Shpresoj që të përhap ndërgjegjësimin. Është e papranueshme që njerëzit të vdesin duke përshkuar detin për t’iu shpëtuar tragjedive”.

Filmi tregon kontrastin mes sfidave të emigrantëve teksa kalojnë detin për të arritur Europën dhe jetës së përditshme të banorëve të Lampeduzës, të cilëve Rosi u ka kushtuar filmin.

“Kanë qenë pamjet e guxmishme dhe rrëfimet që na mundësuan të vlerësonim se cili dokumentar ishte ai i duhuri”, komentoi nga ana tjetër Streep, anëtare e jurisë.

Ndërkohë, çmimi për regjisorin më të mirë shkoi për Mia Hansen, për “Dashuri për gjërat që do të vijnë”. Në filmin francez interpretojnë yje si Isabelle Huppert, në rolin e një mësueseje që përballet me vdekjen e së ëmës dhe dështimin e martesës së saj.

Ndërkohë, Majd Mastoura fitoi çmimin për aktorin më të mirë në filmin “Inhebbek Hedi”, ndërsa Trine Dyrholm atë për aktoren më të mirë në “Kolektivi”.

Top Channel