Kosovë, përkujtohet rebelimi i minatorëve të Trepçës

20/02/2016 18:15

Greva historike e minatorëve të Trepçës në Stantërg, 27 vjet më parë, kur nga thellësitë e nëntokës doli thirrja më e fortë kundër shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga regjimi serb, është përkujtuar sot me një ceremoni në Mitrovicë, ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit. Çdo vit ky aktivitet shënon dhe fillimin e “Javës së Minatorëve”.

“Greva e nisur këtu 27 vite më parë është pjesë e kthesës së madhe historike që solli Kosovën këtu ku është sot: shtet i pavarur dhe sovran, i palëkundur në realizimin e së ardhmes euroatlantike”, tha presidentja Atifete Jahjaga.

Ndërsa, kryeministri Isa Mustafa deklaroi se Trepça do të mbetet e Kosovës, ajo nuk do të jetë objekt i asnjë diskutimi dhe gjatë këtij viti do të përfundojë ligji për Trepçën.

Në 20 shkurt 1989, rreth 1.300 minatorë u ngujuan në një grevë urie në ambjentet e minierës së Stantërgut, në një akt të rrallë rezistence kundër heqjes së autonomisë së Kosovës, që ishte dhe një ndër 10 kërkesat e këshillit grevist.

Edhe pse greva u mbyll pas tetë ditësh me premtime të rreme dhe u pasua nga represione të ashpra të regjimit kundër shqiptarëve, kjo ngjarje përkujtohet çdo vit si një ndër hapat e parë themelorë që çuan drejt pavarësisë së Kosovës.

Top Channel