Vonn “ua nxjerr inatin” skive

20/02/2016 00:00

Është diçka normale që një sportist të zemërohet kur gjërat nuk shkojnë mirë gjatë një gare apo një ndeshjeje, por kur ky zemërim publikohet në rrjetet sociale atëherë telashet janë të mëdha.

Kjo ka ndodhur me skiatoren e njohur amerikane Lindsi Vonn e cila u bë protagoniste e një rrëzimi gjatë garimit të saj në provën e parë në zbritjen e lirë të zhvilluar në La Thuille.

Amerikania inatin e këtij rrëzimi ia nxori skive të cilat pas garës filloi t’i godasë me çekiç, video të cilën e publikoi edhe në Facebook, por që nuk i pëlqeu kompanisë “Head” që furnizon me materiale sportisten më të suksesshme në këtë disiplinë sportive.

Vonn reagoi dhe kërkoi  ndjesë për veprimin e saj. “Publikimi i asaj videoje ishte një gabim i madh imi i shkaktuar nga zhgënjimi dhe e kuptoj që mund të interpretohej në mënyra të ndryshme. E vërteta është se i dua skitë e mia dhe nuk e di sesi mund të kërkoj ndjesë”, deklaroi Vonn.

Gjithsesi, Lindsi Vonn mori pjesë në provën e dytë në zbritjen e lirë në La Thuille duke u renditur në vendin e dytë me 14 të qindat më shumë se fituesja Nadia Fankini nga Italia.

Ndërsa në vendin e tretë u rendit skiatorja tjetër italiane Daniela Merighetti. Në të njëjtën kohë, Vonn fitoi përpara kohe Kupën e Botës në zbritjen e lirë për herë të 8 në karrierën e saj.

Top Channel