F1, Horner: Kujdes me rregullat e 2017-s

20/02/2016 00:00

Skuadrat e Formula 1 pritet të përballen me rregulla të reja që do të vendosen për vitin 2017. Më 1 mars do të përcaktohet përfundimisht se çfarë do të ndodhë në këtë aspekt, ndërkohë që më 23 shkurt do të zhvillohet edhe një takim i fundit në lidhje me këtë çështje.

Sipas shefit të Red Bull, Christian Horner, drejtuesit e Formula 1 nuk mund t’ia lejojnë vetes të vendosin rregulla të gabuara dhe se duhet t’u jepet më shumë prioritet aftësive të pilotëve.

“Mendoj se Sebastian Vettel kishte të drejtë në komentet e tij kur tha se protagonistët në garat e Formula 1 duhet të jenë pilotët dhe jo makinat. Ne e kemi shansin që ta bëjmë këtë me rregullat për 2017. Ndryshimet në shasinë e makinave duhet të jenë të tilla që të vihen në dukje aftësitë e pilotëve, ndërsa vetë mjetet duhet të jenë më të vështire dhe më të fuqishme për t’u drejtuar prej tyre për të parë edhe diferencat që krijohen. Një gjë e tillë do të rrisë akoma më shumë spektaklin në Formula 1 dhe tifozët e këtij sporti do të argëtohen më shumë. Është një rast i artë që nuk duhet ta lëmë të na shpëtojë nga duart”, deklaroi Horner.

Ndërkaq, skuadrat e Formula 1 kanë nisur të prezantojnë makinat e tyre të reja, ndërkohë që të hënën do të zbresin në pistën e Montmelo ne Barcelonë për të kryer testet e para dimërore. Kampionati nis më 20 mars me garën e Australisë.

Top Channel