Rosberg e pranon: Ferrari, kërcënim për Mercedes

20/02/2016 00:00

Ferrari do të jetë një kërcënim i madh për Mercedes në Botërorin e Formula 1 të vitit 2016. Ai që e thotë këtë është piloti gjerman Nico Rosberg në një intervistë për “Sky Sports”.

“I marrim kundërshtarët tanë shumë seriozisht, sidomos Ferrarin. Skuadra italiane do të jetë një kërcënim i madh për ne kështu që do të na duhet të japim gjithnjë maksimumin. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në garën e parë të Botërorit”, tha Rosberg.

Te Mercedes në dy sezonet e fundit është parë një rivalitet i madh mes Rosberg dhe Hamilton, por për pilotin gjerman, ky aspekt nuk ka qenë pengesë për këtë skuadër për të arritur objektivat saj.
Rosberg theksoi gjithashtu se ai do të vazhdojë të qëndrojë te Mercedes edhe për shumë kohë.

“Jam i sigurt se do të jem pjesë e Mercedes edhe për shumë vite të tjera pasi ndihem shumë komod këtu. Me Mercedes kemi arritur shumë suksese dhe besoj se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Çdo vit përballemi me sfida dhe mezi po pres pres që t’i përjetoj ato sidomos kur te garoj kundër Hamilton që është paraqitur në nivelet më të larta të mundshme. Rivaliteti me Hamilton është dicka që i duhet këtij sporti kështu që do të vazhdojë të jetë pozitive për ne. Të shohim sesi do të shkojnë gjërat këtë vit, pasi po punojmë së bashku”, përfundoi Rosberg.

Top Channel