Sfida me Juven, Bayern rifiton 4 futbollistë

20/02/2016 00:00

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga përballja me Juventusin në Ligën e Kampioneve, trajneri i Bayernit, Pep Guardiola merr disa lajme të mira nga infermieria.

Trajneri katalanas i kampionëve të Gjermanisë rifiton shërbimin e 4 futbollistëve për këtë përballje me “zonjën e vjetër” dhe bëhet fjalë për Ribery, Tashi, Gotze dhe Benatia. Jashtë skuadre mbeten vetëm Badstuber, Javi Martinez dhe Boateng.

Megjithatë Guardiola do të duhet të mendohet shumë për të përcaktuar formacionin e Bayernit dhe dilemat më të mëdha i ka padyshim për repartin e mbrojtjes.

Lahm e Alaba janë të vetmit që nuk diskutohen në këtë pikë, ndërkohë që Benatia mund të jetë surpriza, sepse Allegri mund të aktivizojë Mandzukic dhe skuadrës bavareze do t’i duhet fiziku e sidomos centimetrat e qendërmbrojtësit, duke parë se Kimich dhe Xabi Alonso janë mesfushorë të përshtatur në këtë rol.

Problemi për Benatia në këtë pikë qëndron te forma e futbollistit. Mbrojtësi pësoi dëmtim muskular në muajin dhjetor dhe që nga ai moment nuk është parë më në fushat e lojës.

Por Guardiola në përballjen me Juventusin ka shumë nevojë për shërbimin e tij dhe ka shumë të ngjarë që përkrah tij të aktivizojë Alabën, një lojtar shumë i shpejtë ky dhe Bernat pa harruar këtu edhe Kimich apo Xabi Alonson.

Përsa i përket mesfushës, në këtë pikë Guardiolës do t’i duhet të bëjë zgjedhjen e tij duke parë rikthimin e Gotzes dhe Ribery që janë dy alternativa më shumë.

Për të luajtur përpara mbrojtjes, 45-vjeçari do të sakrifikojë një prej Tiagos, Xabi Alonos apo Vidal, ndërkohë që në sulm, Lewandowski do të mbështetet nga Robben, Myler e Daglas Costa, pa harruar këtu edhe Koman që mund të jetë një alternativë e vlefshme.

Top Channel