Gjetan Keta mposht me KO teknik turkun Uzun. Kampion interkontinental në WBC

19/02/2016 00:00

Ka përfunduar me triumfin e Gjetan Ketës, me të ashtuquajturin “Knock Out” teknik, pas dorëzimit të kundërshtarit të tij turk, Turgaj Uzun, ndeshja e shumëpritur e boksit e vlefshme për titullin interkontinental në WBC.

Ndeshja nuk shkoi më shumë se 5 raunde, nga 12 të mundshme në këtë sport të rëndë, raunde gjatë të cilave boksieri shqiptar Gjetan “Mike” Keta ishte më kërkues dhe sulmonte vazhdimisht, ndërsa rivali turk mbrohej vazhdimisht, sikur donte të ruante energjitë për në raundet pasardhëse.

Mirëpo, pas raundit të katërt, kur Gjetani e kërkoi më së shumti fitoren parakohe me grushtet e lëshuara kundrejt turkut, që konsiderohej si “dhelpra e vjetër” e Turqisë, u desh raundi i pestë, që Gjetani nga Bulqiza të jepte disa goditje radhazi, pavarësisht se turku mbrohej fuqishëm. Atëherë kur mendohej se do të hynim në raundin e 6, Turgaj Uzun u dorëzua, duke shpallur kështu edhe triumfin e boksierit kuqezi.

Në ringun e vendosur në “Asllan RUsi” të TIranës ishin të pranishëm figura të shquara të artit, kulturës, sportit, por edhe politikës, ku sa për të përmendur: Reshat Arbana, Kastriot TUsha, ish-presidenti Alfred Moisiu, ministri aktual i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, i cili dorëzoi brezin e triumfatorit vëllait më të vogël të dinastisë Keta, në një ndeshje boksi për peshat “Cruiser”, Ferit Keta, që mposhti serbo-boshnjakun Haris Calakovic.

Triumfi pritet që t’i hapë rrugën Ketës në arenën e madhe të boksit në ringjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe të synojë titullin kampion bote.

Kjo ishte ndeshja e 23-të për Ketën, i cili koleksionon kështu 20 fitore, ndër të cilat 17 me KO, dhe vetëm 3 humbje.

Top Channel