Kosovë, Veseli: Ftoj opozitën për dialog në Kuvend

19/02/2016 00:00

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një konference të jashtëzakonshme të mbajtur pak pas orës 17 e 15 të së premtes në lidhje me situatën e sotme, ka ftuar për të disatën herë opozitën që të kthehet në Kuvend për të dialoguar. Sipas Veselit, dialogu është e vetmja zgjidhje për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes palëve.

“Ftoj opozitën për dialog të hapur brenda institucioneve të Republikës së Kosovës. Dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur mosmarrëveshjet në të mirë të qytetarëve të vendit”.

Në konferencë, ai ka dënuar veprimet e opozitës, të ngjashme prej një kohe të gjatë tashmë në këtë krizë politike që ka kapluar Kosovën, e sidomos ato të ditës së sotme me hedhjen sërish të gazit lotsjellës dhe përleshjes së policisë me deputetët opozitarë.

“Kolegët tanë vepruan në mënyrën më të vrazhdë, në mënyrë jo demokratike. Ata po dëmtojnë procesin, po na dëmtojnë neve, por edhe veten. Ata janë duke dëmtuar një vlerësim historik për Kosovën”, tha Veseli.

Sipas kreut të Kuvendit, çdo veprim i tillë – si ai i opozitës, – është veprim sa i dëmshëm, aq dhe dëshpërues e i papranueshëm.

“Kuvendi është i vendosur të vazhdojë punën e tij drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit euroatlantik të Kosovës”, tha Veseli në deklaratën e shkurtër, që vijoi më pas me përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.

Top Channel