Lëvizja me letërnjoftime, shqyrtohet marrëveshja nga Parlamenti i Maqedonisë

19/02/2016 00:00

Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Kosovës, për lëvizjen vetëm me letërnjoftime të qytetarëve të këtyre dy vendeve, ka kaluar në Komisionin parlamentar për Politikën e Jashtme dhe pritet që të ratifikohet të hënën nga Kuvendi, në Shkup.

“Kjo marrëveshje paraqet një hap drejt heqjes së tërësishme të kufijve, për një rajon të integruar plotësisht brenda tij, por edhe në BE dhe NATO”, tha Nora Aliti, deputete e BDI-së.

Shtetasit e dy vendeve do të mund të kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftime biometrike, që nga muaji i ardhshëm, nëse marrëveshja ratifikohet së shpejti edhe nga Kuvendi i Kosovës.

“Që të mund të bëhet e plotfuqishme kjo marrëveshje dhe të bëhet pjesë e sistemit juridik në dy vendet, propozohet miratimi i saj nga ana e Kuvendit. Kjo marrëveshje nuk kërkon ndryshime të tjera ligjore dhe, për zbatimin e saj nuk nevojiten mjete shtesë nga buxheti i shtetit”, tha Zvonimir Popoviç, përfaqësues i MPJ-së në Maqedoni.

Marrëveshja për lëvizjen pa pasaporta u firmos në fillim të këtij muaji, në Prishtinë, nga ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Maqedonisë, Hashim Thaçi dhe Nikola Poposki, të cilët paralajmëruan edhe hapjen e pikës së përbashkët kufitare, Stançiç-Belanoc.

Top Channel