NBA, San Antonio humb supersfidën me LA Clippers (Video)

19/02/2016 12:10

Skuadrat e NBA u rikthyen në parket për të vijuar sezonin e rregullt, pak ditë pas zhvillimit të sfidës All Star Game.

Në “Staples Center” u vunë përballë njëra-tjetrës Los Angeles Clippers dhe San Antonio Spurs, me skuadrën kaliforniane që fitoi me rezultatin 105-86. Ishte Chris Paul ai që e udhëhoqi Los Angeles Clippers drejt kësaj fitoreje me 28 pikë dhe 12 asist. Në krahun tjetër, skuadra teksane duket se e ndjeu mungesën e Leonard për t’u larguar nga Kalifornia me një disfatë që ishte e nënta sezonale për të.

Shumë të lehtë e pati sfidën Cleveland Cavaliers me Chicago Bulls, ndaj së cilës fitoi me rezultatin 106-96. Te skuadra nga Ilinois 28 pikët e Derrik Rose nuk mjaftuan për të mbyllur këtë ndeshje në favor të saj, ndërkohë që në parket nuk ishin as Butler e as Noah.

Në krahun tjetër u dallua LeBron James me 25 pikë, 9 topa në tabelë e 9 asist, ndërkohë që dhanë kontributin e tyre në këtë sfidë edhe Irving me 19 pikë, Thompson me 16 pikë e 10 topa në tabelë dhe Kevin Love me 15 pikë e 16 topa në tabelë.

Në ndeshjen tjetër të NBA, Washington Wizards fitoi bindshëm ndaj Utah Jazz 103-89, ku ai që spikati ishte Marcin Gortat me 22 pikë e 10 topa në tabelë.

Top Channel