Alban Skënderaj: Çfarë duhet të bëjmë për Shqipërinë!

19/02/2016 00:00

Në intervistën e parë pas publikimit të këngës “Unë dhe ti”, Alban Skënderaj thotë se ka punuar me këtë projekt muzikor ashtu siç nuk bën zakonisht. I ftuar në programin e mëngjesit “Wake Up” ai ka nënvizuar se ka dashur gjithnjë që të bënte një këngë për çiftet që kanë kaluar shumë vështirësi bashkë.

“Nuk ka shumë vite që jam i lidhur me të fejuarën time (nuk jemi martuar ende), por kemi kaluar shumë bashkë. Tek të gjitha çiftet është diçka që i bën bashkë: të gjithë kanë kaluar vështirësi. Ne shqiptarët, kemi kaluar shumë probleme ekonomike, sociale, kemi ndjerë shtypjen e diktaturës, e ndonëse ne jemi një brez i ri ri, kemi shenja nga këto vështirësi. Unë doja të bëja një këngë universale ku secili gjen veten. Edhe klipin doja që të bëhej nga vetë njerëzit. Publikova disa statuse në rrjetet sociale ku u kërkoja fansave momente të sinqerta, që tregojnë ciklin e jetës. U përgjigjën 1000 njerëz, por që në klip nuk mund t’i nxirrnim dot të gjitha çiftet. Janë publikuar vetëm 100 foto dhe video nga këto dërgesa, por shpresoj që së shpejti, të përgatis një tjetër këngë me fotot e ngelura”.

Kështu ka lindur “Unë dhe ti”, hiti që u publikua në datën 14 Shkurt, si një dhuratë për të gjithë të dashuruarit dhe në veçanti për Miriamin. Kënga është krijuar mes shkelmash, e duket se e ka emocionuar Amelinë qysh në bark.

“I kam kënduar shumë këngë gjatë shtatëzënisë. I kam kënduar në anglisht, më së shumti këngë të Adele, Coldplay, John Legend. Ajo është rrethuar me muzikë. Kur kompozoja këngën “Unë dhe ti”, Ameli ka qenë një shkelmuese e jashtëzakonshme, ndaj kjo këngë është shkruar mes shumë shkelmave”,- ka thënë Skënderaj.

Një këngë për Amelinë?

“Më vjen në mendje herë pas here; vajza ime më frymëzon në tërësi. Nuk është vetëm raporti im me të, ajo më ka dhënë një goditje jete. Të bëj një këngë për të më duket një gjë jashtëzakonisht e madhe, emocionohem aq shumë sa nuk di si ta përkthej”.

I pyetur për marrëdhënien e tij me Miriamin, ai është shprehur se si çdo çift, edhe ata kanë momentet e krizave mes tyre.
“Kemi pasur kriza, si çdo çift, por mendoj që çdo ditë duhet të punosh që të ushqesh raportin, dashurinë, vazhdimësinë, jetën… Edhe kjo këngë këtë mesazh kërkon të përçojë: është shumë e lehtë të jesh egoist, të jesh vetjak, siç bëhet shpesh sot në jetë, por nëse do që një raport të funksionojë duhet të bësh sakrifica e të jesh i fortë në momente të vështira, të durosh, të pranosh, të respektosh…”,- ka nënvizuar ai.

Top Channel