Sërish gaz lotsjellës në sallë. Thaçi: S’kam provokuar opozitën

19/02/2016 11:00

Mes tensioneve politike brenda dhe jashtë sallës, Kuvendi i Kosovës u mblodh në seancë plenare dy ditë pas festimeve dhe protestave të 8-vjetorit të Pavarësisë.

Jashtë godinës, Parlamenti është rrethuar nga një numër i madh forcash policore, ndërsa brenda tij ka prani të fortë të sigurisë.

Megjithatë, gjithë këto masa sigurie nuk penguan opozitën që të lëshonte gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, ndërkohë që pati edhe përleshje fizike në sallë.

Por pavarësisht gazit lotsjellës në sallë, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli vazhdoi seancën duke lexuar deklaratën e rezolutës me anë të së cilës Kuvendi kundërshton dënimin e disa ish-eprorëve të UÇK-së nga ana e Serbisë.

Pas miratimit të kësaj rezolute, Veseli ndërpreu seancën, ndërkohë që në sallë punonjësit e sigurisë ishin të pajisur me maska kundër gazit.

Lidhur me ngjarjet reagoi zv.kryeministri Hashim Thaçi. Ai foli edhe për deklaratën e bërë në përvjetorin e Pavarësisë për protestën e opozitës kur tha se opozita u largua “me bisht ndër shalë dhe si qyqare”.

“Jam keqkuptuar për këtë deklaratë. Deklarata ime i referohej drejtuesve të opozitës”, tha ai.

“Këto janë veprime distancuese në raport me ligjin, demokracinë, qytetarët dhe rrugën tonë demokratike. Veprimi i sotëm është kundër perspektivës europiane të Kosovës, pasi në rendin e ditës kemi çështje për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Ne e ftojmë opozitën për përgjegjshmëri dhe sjellje etike. Do e çojmë deri në fund rendin e ditës. Zgjidhja e vetme është normaliteti”, shtoi Thaçi.

Ndërkohë, kreu i Nismës, Fatmir Limaj ripërsëriti kërkesat e opozitës, ku kryesorja është ajo për zgjedhje të parakohshme.

“E kemi parë se çfarë kanë deklaruar dy ditë më parë në konferencë për shtyp. Sot është koha kur duhet të ulemi dhe të bisedojmë për një axhendë të përbashkët për kohën e zgjedhjeve të parakohshme, si të zgjedhim presidentin e të tjera”, tha ai.

Këtë të premte në Kuvend ishin paraqitur për shqyrtim 22 çështje, por jo ajo që ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ku dy partitë qeverisëse, PDK dhe LDK pritet të dalin me emrin e Hashim Thaçit për këtë post. 

FOTO GALERI
1/4

Top Channel