Grevat bllokojnë rrugët, paralizohen shkëmbimet në pikën e kalimit të Kapshticës

19/02/2016 10:00

U bë gati një muaj që fermerët grekë mbajnë të bllokuar me traktorët e tyre krejtësisht ose përkohësisht mbi 68 pika nevralgjike të rrugëve ndërkombëtare dhe kombëtare të Greqisë, duke protestuar ndaj projektligjit të ri të sistemit të taksave dhe të pensioneve.

Ky veprim i fermerëve, të cilët janë ndarë tashmë në tre grupe, duke paraqitur kërkesa të ndryshme tek kryeministri Tsipras, ka shkaktuar dëme në ekonominë vendase, në produktet e vetë fermerëve që mbeten të pashitura, por edhe në eksportet apo importet me vendet fqinje si Shqipëria, Bullgaria dhe Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Shtetasit ose tregtarët shqiptarë që lëvizin nga dogana e Kapshticës drejt Greqisë së Veriut, duhet të kenë parasysh se kjo pikë kufitare bllokohet pranë kufirit për disa orë gjatë mesditës, ashtu si edhe disa pika të tjera të akseve nacionale drejt Greqisë Lindore deri në kufijtë me Turqinë, ndërsa duhet të shmangin kryqëzimin e Malgarës në rrugën Egnatia pranë Selanikut, i cili pothuajse qëndron i mbyllur prej shumë ditësh.

Në këtë zonë vazhdon të jetë e mbyllur Promahona, dogana kryesore me Bullgarinë, tashmë edhe nga shoferët e kamionëve bullgarë në shenjë proteste për grevën e fermerëve grekë.

Përsa i përket rrugës nga Kapshtica për në Athinë, ajo është e bllokuar në pjesën drejt Siatisës dhe më pas duhen shmangur katër pika nevralgjike të kësaj rruge në Nikea, Tembi, Larisa dhe Mikrothiva.

Nga Kakavija drejt Athinës ka disa rrugë që bllokohen vetëm përkohësisht, ndërsa duhen shmangur kryqëzimet në Viotia, në rrugën e re Patra-Athinë apo dhe rrugën e vjetër Athinë-Korinth.

Top Channel