Kurajo dhe fat, Juve fiton në 15 minutat e fundit

18/02/2016 00:00

Fati shpeshherë ndihmon më të mirët dhe në këtë rast Juventus mund të krenohet me atë çfarrë i rezerovohet në finalet e ndeshjeve që zhvillon, pak rëndësi ka stadiumi ku luan.

“Zonja e vjetër” që bëri një kapërcim galopant në renditje duke kaluar në vendin e parë nga zonat modeste të Serisë A, por nga statistikat tregohet se në çerek orëshin e fundit të përballjeve ia del në shumë raste të vulos tre pikët.

Që nga derbi e deri tek aksioni i finalizuar nga Zaza kundër Napolit janë katër gola të realizuar nga minuta 75 e deri në shtesë. ADN prej akrepi e cilësojnë shumë opinionistë në futbollin italian, por ajo që faktohet është se Juventus nuk dorëzohet kurrë e prandaj numëron 15 fitore radhazi.

Në një klasifikim të veçantë të golave të shënuar në 15 minutat e fundit, “bardhezinjtë” janë të dytët dhe vetëm Lazio i parakalon në spirtin final. Skuadra torineze në fazat e fundit të ndeshjes ka triumfuar katër herë, respektvisht me Torinon, Fiorentinën, Romën dhe Napolin.

Kurajo dhe fati janë një koktel që po i bën mirë Juventusit në futbollin italian e nëse titulli do të rikonfirmohet për “zebrën” atëherë merita do të jetë e mos dorëzimit asnjëherë.

Top Channel