Klerikët, apel politikës: Ndiqni shembullin tonë për të dalë nga kriza

18/02/2016 00:00

Udhëheqësit e bashkësive fetare myslimane, katolike dhe protestante në Kosovë janë mbledhur në një drekë të përbashkët, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, nga ku kanë përçuar mesazhin e bashkëpunimit, duke i bërë thirrje krerëve partiakë të ndjekin shembullin e tyre, për daljen nga kriza përmes dialogut.

“Nuk mendojmë që duhet të kërcënojmë njëri-tjetrin, as me forcën e popullit, as me forcën e pushtetit, por me forcën e dialogut dhe të dashurisë së zemrave. Udhëheqësit tanë duhet të kuptojnë se, ata mund të kenë pikëpamje të ndryshme mbi situatat, por duhet të dinë se kemi vetëm një shtet”, tha Don Dodë Gjergji, ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës.

Thirrje për dialog mes pozitës dhe opozitës bëri edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

“Shfrytëzoj rastin edhe unë të ftoj spektrin politik të Kosovës, të gjejnë edhe një unitet veprues për të dalur nga kjo situatë në të cilën gjendemi. Të ulen rreth tryezës dhe të merren vesh për një të ardhme sa më të mirë të vendit tonë”, tha Naim Tërnava, myfti i Kosovës.

Të pyetur nëse do të ndërmjetësonin për daljen nga kriza, klerikët thanë se nëse është e nevojshme mund t’i ftojnë udhëheqësit partikakë në një drekë të përbashkët, por jo të ndërmjetësohet në kuptimin e ndonjë angazhimi konkret.

Top Channel