Dëmtohet Rooney, jashtë fushave për 2 muaj

17/02/2016 00:00

Si të mos mjaftonin rezultatet negative dhe largimi nga zona e pretendentëve për titullin kampion në Angli, për Louis van Gaal shtohen problemet.

Trajneri holandez i Manchester United do të duhet të bëjë pa një prej shtyllave të ekipit për dy muajt e ardhshëm, pasi sulmuesi Wayne Rooney është dëmtuar në ligamentet e gjurit.

Bomberi i kombëtares angleze nuk udhëtoi për ndeshjen që “djajtë e kuq” do të zhvillojnë mbrëmjen e së enjtes ndaj Midtlland në Danimarkë.

Rooney ka qenë në një formë të mirë në javët e fundit duke shënuar 7 gola në 9 ndeshje të zhvilluara. Por, mungesa e tij zvogëlon opsionet ofensive në ekipin e “Old Trafford”.

Tashmë Antoni Martial është sulmuesi i vetëm që Van Gaal mund t’i besojë fatet e një sezoni të trazuar.
 
“Ne kemi 13 futbollistë të dëmtuar dhe Rooney është një prej tyre. Nuk mund ta them me saktësi sesa do të mungojë pasi ka një problem në gju dhe duhen analiza të sakta”, tha Van Gaal.

Trajneri që vuan hijen e një pasardhësi ende të pazyrtarizuar si Jose Mourinho, ka një tjetër test të hënën në FA Cup kundër modestëve të Shrewsbury.

Dëmtimi i Rooney është një problem edhe për kombëtaren angleze që muajin tjetër ka planifikuar miqësore me Gjermaninë dhe Holandën.

Top Channel