Mustafa e Thaçi: Qeveria do të vazhdojë; zgjedhjet më 10 qershor 2018

17/02/2016 00:00

Në një konferencë për shtyp, pak minuta pas përfundimit të protestës së opozitës, kryeminstri i Kosovës Isa Mustafa dhe zv.kryeministri Hashim Thaçi deklaruan se nuk do të tërhiqen dhe se mandati i qeverisë përfundon në 10 qershor 2018.

Kryeministri Isa Mustafa kritikoi protestuesit për mungesën e flamujve të Kosovës dhe ftoi opozitën të kthehet në Kuvend.

“Ne kemi pritur që edhe ata që dalin të kërkojnë sovranitet, ose të kthejnë sovranitetin, sipas tyre të humbur, ata këtë sovranitet do ta kërkojnë me simbole dhe flamuj të Republikës së Kosovës. Gjithnjë e kemi respektuar flamurin kombëtar, por kur bëhet fjalë për shtet, ne kemi shpallur pavarësinë tonë. Udhëheqësit e opozitës flasin për të pavërteta dhe për iluzionet e tyre, të cilat rrezikojnë shkatërrimin e shtetit të Kosovës. Askush nuk ka të drejtë ta shpallë të shkarkuar qeverinë nëpër sheshe. Kjo qeveri do ta vazhdojë mandatin deri më 10 qershor 2018. Të tjerët duhet të bëhen gati për atë ditë duke u kthyer në Kuvend, për ku kanë marrë votën e qytetarëve”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Me tone më të ashpra e komentoi protestën zv.kryeministri Hashim Thaçi, sipas të cilit doli qartë se kauza e opozitës nuk është çështja e bashkësisë së komunave serbe dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, por zgjedhjet e parakohshme .

“Thirrja qytetare, vullneti qytetarë është më i fortë sesa zërat çjerrës, fytyrat e mavijosura dëshpëruese të krerëve opozitarë. Kishin dërguar mesazhe, na prisni në qeveri kryeministër Mustafa dhe zëvendës kryeministër Thaci. Ishim këtu, 20 metra distancë me ta. Nuk erdhën. I pritëm, kësaj radhe kishim vendosur të mos I prisnim me kafe, por t’I jepnim përgjigje të merituar dhe si u larguan? Me bisht ndër shalë, si qyqarë”, deklaroi Thaçi.

Më tej Thaçi shtoi se udhëheqësit opozitarë duhet të përgjigjen për falsifikim masiv të peticionit prej mbi 200 mijë nënshkrimesh për të kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.

“E nisën me një peticion, por ai peticion është me firma të manipuluara të 200 mijë vetave. Ne do të kërkojmë ngritjen e një komisioni hetimor për vlerësimin e atij peticioni. Sot nuk dëgjuam as çështjen e demarkacionit dhe as të Asociacionit, sepse njeriu që i ka ngritur këto çështje e di mirë që ky problem nuk është realitet, por vetëm një improvizim për të provokuar ndjenjat e nacionalizmit”, tha ai.

Zv.kryeministri, ashtu si edhe kryeministri Mustafa, tha se qeveria do të vazhdojë punën e saj normalisht dhe se zgjedhjet do të mbahen vetëm më 10 qershor 2018.

Top Channel