Kosova feston Pavarësinë me paradë ushtarake, flamuj shtetërorë e kombëtarë

17/02/2016 00:00

Parakalimi i njësiteve elitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës ka hapur aktivitetet festive për datën 17 Shkurt, në tetëvjetorin e Pavarësisë, në Prishtinë.

Edhe pse ky përvjetor e gjen FSK-në të pashndërruar në ushtri, djemtë dhe vajzat me uniforma u duartrokitën dhe u përshëndetën nga qytetarë të shumtë, përgjatë shesheve qendrore të kryeqytetit.

Atmosfera festive pasurohet nga flamujt e Kosovës dhe ata kuqezi.

“Për mua është shumë i vlefshëm flamuri i Shqipërisë, por e konsideroj edhe atë të Kosovës si shumë të vlefshëm”, tha Albian Shabani, qytetar.

Qytetarët që dolën për të festuar, shpresojnë që kjo ditë të mos zbehet nga politika.

“Sot, nga fakti që kanë caktuar mbajtjen e protestës, kam frikë se mos e zbehin këtë ditë gëzimi, këtë ditë lumturie, mos e teprojnë”, tha Hilmi Hyseni, qytetar.

Ndërkohë, janë pikërisht fëmijët, ata që i gëzohen më së shumti festës.

“Kosova është më e madhe se Lumi, por Lumi është vetëm dy muaj më i vogël, sepse ka ditëlindjen më 24 prill. Kështu që edhe pak, dhe ky do të bëhet sa Kosova. Kurse unë jam më e madhe”, u shprehën Klesta dhe Lum Qehaja, motër e vëlla.

Ashtu edhe siç është traditë, më 17 Shkurt është zbuluar edhe pamja e re e monumentit të pavarësisë “Newborn”, duke e bërë sërish ndër pikat e preferuara për t’u fotografuar në këtë ditë të shënuar për historinë e Kosovës.

Top Channel