Inter dhe Pirelli zgjasin marrëveshjen e tyre edhe për 3 vite

17/02/2016 11:50

Pirelli do të vazhdojë të jetë sponsori kryesor i Interit. Kompania italiane e prodhimit të gomave dhe klubi zikaltër rinovuan kontratën e bashkëpunimit mes tyre edhe për 3 vjet të tjerë, deri në vitin 2019, për një vlerë prej 10 milionë eurosh në vit. Mësohet se kjo shifër mund të rritet akoma më shumë nëse Interi gjatë 3 sezoneve të ardhshme do të mund të fitojë trofeun e Ligës së Kampioneve.

Kreu i kompanisë Pirelli, Marco Tronchetti Provera, vetëm përpara një jave foli për raportet me klubin milanez, duke lënë të kuptohej zgjatjen e kësaj kontrate me të.

“Interi është një skuadër e rëndësishme dhe ne e kemi të qartë detyrën tonë. Vullneti për të vijuar bashkëpunimin është, por në kushte korrekte”, ishte deklarata e Proverës.

Interi është në një periudhë ku po punohet shumë në aspektin financiar. Presidenti Thohir pritet të zhvillojë një takim me Massimo Moratin me kërkesën e bërë ndaj Goldman Saks për të kërkuar partnerë të rinj në Azi. Por indoneziani ka në axhendën e tij edhe takimet me familjen Berlusconi, me të cilën do të diskutojë çështjen e modernizimit të stadiumit San Siro.

Top Channel