Varësia nga kumari dhe lojërat e fatit është shndërruar në një problem aq të madh për shoqërinë britanike, saqë Shërbimi Shëndetësor Kombëtar, NHS, ka filluar lëshimin e recetave për përdorimin e një ilaçi, që mendohet se kufizon këtë varësi.

Sipas “The Times” të Londrës, ilaçi i qujatur “Naltrexone” kushton 10 mijë stërlina në vit. Ky ilaç jepet përgjithësisht për ata që kanë probleme të mëdha me drogën dhe alkoolin, por tani po përdoret edhe për ata që luajnë kumar.

Klinika Kombëtare për Luftën kundër Kumarit, me qendër në Londër, është bërë e para që e lëshon këtë ilaç, që kushton 800 stërlina në muaj për çdo pacient, dhe vitin e kaluar mjekët e familjes referuan 1.000 pacientë për ta marrë këtë medikament.

Doktoresha e kësaj klinike, Henrietta Boëden-Jones thotë për “The Times”:

“Medikamenti përdoret për të frenuar kumarxhinjtë më të papërmbajtur, që janë rezistentë ndaj trajtimeve të tjera. Ilaçi ndihmon për frenimin e dëshirës për të luajtur kumar”.

Ka mbi gjysmë milion personash në Britani, që janë të varur nga kumari, lojërat e fatit dhe bastet sportive, nëpër qendrat e basteve apo edhe online. Vetëm vitin e fundit, një linjë e posaçme për problemin e varësisë ndaj kumarit shënoi një rritje prej 30 për qind të telefonatave.

“The Times” bën thirrje për ndërprerjen e funksionimit të aparaturave të vënies së basteve, të cilësuara si “kokaina” e kumarit. Problemet e kumarit dhe vënies së basteve, si nëpër qendrat e basteve apo online, janë një problem mjaft shqetësues për një pjesë të shqiptarëve të Britanisë.

Ka me mijëra raste kur shqiptarët, për shkak të kësaj varësie, kanë prishur familjet, ushtrojnë dhunë në familje dhe shpërdorojnë fitimet nga puna, apo të ardhurat nga ndihmat sociale të fëmijëve të tyre, për të ushqyer këtë ves. Gjithashtu ka shtim të rasteve të divorcit për shkak të kumarit, shtim të krimit, sëmundjeve mendore, por që mund të shkojnë edhe deri në kryerjen e vrasjeve.

Top Channel