8 vite Pavarësi, Jahjaga: Koha për bashkim. Në ceremoni, asnjë zyrtar nga Shqipëria

17/02/2016 10:40

Kosova ka shënuar 8-vjetorin e Pavarësisë me ceremoni zyrtare në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, në praninë e krerëve më të lartë shtetërorë dhe diplomatëve ndërkombëtarë, por aty munguan përfaqësuesit e opozitës.

Gjatë fjalimit para qytetarëve në ceremoninë festive, Presidentja Atifete Jahjaga u ka bërë thirrje udhëheqësve politike për unitet dhe dialog.

“Sot është festë dhe festat, zakonisht bëjnë bashkë të gjithë, në një dialog që zëvendëson moskuptimin dhe keqkuptimet, që ndryshon botëkuptimin dhe që mban gjallë kulturën e marrëveshjeve. Është koha për të harruar mëritë, për të tejkaluar dallimet. Tani është koha e ndërtimit, që varet nga vet ne”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se, qeveria e tij do të punojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqtë e tjerë ndërkombëtarë, për të përmbyllur transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura.

“Republika e Kosovës po shënon ditën e Pavarësisë në sheshin e komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, këtu pranë Ibrahim Rugovës, që me simbolin e hapit të tij shënon vizionin e ecjes përpara të këtij vendi, shënon rrugëtimin e vështirë por të vendosur të këtij populli, shënon miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe orientimin euroatlantik të qytetarëve të Kosovës”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Në tetëvjetorin e Pavarësisë, Kosova është e njohur nga 111 shtete, ndërsa është bërë pjesë edhe e shumë organizatave ndërkombëtare.

Pas përmbylljes së festës zyrtare, e cila zgjati më pak se një orë, udhëheqësit e institucioneve kanë vizituar kompleksin memorial të komandantit legjendar Adem Jashari, në Prekaz, ndërsa kanë bërë homazhe edhe te varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi kanë deklaruar pas homazheve se, opozita nuk ka arsye që të protestojë e t’ua prishë festën qytetarëve.

Në ceremoni nuk kishte përfaqësues nga Shqipëria, ndërsa qytetarë të shumtë kanë udhëtuar drejt Prishtinës për festë dhe protestë. Disa prej udhëtarëve, që do t’u bashkoheshin protestës, janë ndaluar në kufi dhe janë kthyer mbrapsht.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se, dy prej tyre janë ndaluar dhe janë shpallur persona të rrezikshëm, ndërsa policia konfirmon vetëm faktin se, ka kthyer prapa ata që kanë deklaruar se po shkojnë në protestë.

Top Channel