Kosova mbush 8 vjeç në mes të krizës politike

17/02/2016 00:00

Sot Kosova mbush 8 vite si shtet. Por ky përvjetor i pavarësisë nuk do të jetë si të mëparshmit, për shkak të krizës politike. Edhe pse është planifikuar që të festohet me disa aktivitete të ndryshme nga ana e Qeverisë, opozita kosovare ka njoftuar mbajtjen e një proteste në orën 14.00, ku përveçse kundërshton marrëveshjet me Serbinë edhe me Malin e Zi, njëherësh kërkon edhe largimin e qeverisë Mustafa-Thaçi.

I dërguari i Top Channel në Prishtinë, Thimi Samarxhiu raporton se Prishtina është e “pushtuar” nga flamujt kombëtarë dhe forca të shumta policie.

Ka pasur shumë kontrolle dhe verifikime gjatë gjithë natës, në të gjitha akset kryesore hyrëse dhe dalëse të Prishtinës.

Partitë opozitare në Kosovë i kanë bërë të gjitha përgatitjet për protestën e ditës së Pavarësisë, e cila do të fillojë në orën 14:00.

Podiumi, ku do të ngjiten tre udhëheqësit e opozitës për të mbajtur fjalime para protestuesve, është rregulluar të martën pasdite, pak metra përpara objektit të Qeverisë.

Sipas axhendës së opozitës, autobusë nga të gjitha qytetet e Kosovës do të sjellin protestuesit për t’u mbledhur fillimisht para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, nga ku do të bëhet nisja në këmbë përgjatë sheshit “Zahir Pajaziti”, te sheshi “Nënë Tereza”, për t’u ndaluar pastaj te sheshi “Skënderbeu” para Qeverisë.

Top Channel