Kosovë, dorëhiqet rektori i UP, Zejnullahu. Shkak zgjedhjet e fundit

16/02/2016 00:00

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu ka dhënë dorëheqjen, i pakënaqur nga zgjedhjet e fundit në këtë institucion arsimor.

Përmes një letre publike, rektori shkruan se në zgjedhjet e fundit janë votuar ata, që sipas bindjes së tij e kanë katandisur universitetin në një gjendje të keqe; ata që në vite me radhë manipuluan, falsifikuan, mashtruan dhe përfituan.

“Kjo tregon se Universiteti i Prishtinës, tashmë e ka shtruar qartë rrugën e ‘zhvillimit’ të vet, -shprehet Zejnullahu. Më tej cilëson se, – kjo rrugë u përket interesave të klaneve, interesave joligjore të kujtdo që ka fuqi në duar, duke filluar nga ata që janë në majat e shtetit, e deri te servilët besnikë të tyre”, thuhet në letrën e dorëheqjes.

Rektori Ramadan Zejnullahu kishte arritur, si kurrë më parë, të mbështetej njëzëri nga Presidentja, kryeministri, opozita, shoqëria civile e opinioni publik, pasi u shkarkua padrejtësisht tetorin e kaluar nga Këshilli drejtues i Universitetit të Prishtinës.

Ministria e Arsimit e riktheu Zejnullahun në detyrë, pasi gjeti se 10 pikat, mes të cilave shkeljet ligjore, bllokimi i mbledhjeve të senatit, ndërprerja e konkurseve të doktoratës, injorimi dhe mospërfillja e Parlamentit Studentor e të tjera, mbi të cilat ai ishte shkarkuar, ishin të pabazuara.

Top Channel