8-vjetori i Pavarësisë, shkollat ia dedikojnë festës orën e parë të mësimit

16/02/2016 00:00

Ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës, gjatë kësaj të marte, i është dedikuar shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, një ditë para shënimit të 8-vjetorit të saj.

Siç është bërë traditë, në orën e parë të mësimit në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, nxënësit recituan poezi dhe lexuan ese për Kosovën e pavaruar. Edhe pse ata kanë qenë të vegjël, kur u lexua Deklarata e Pavarësisë, ka prej tyre që thonë se e mbajnë mend shumë mirë atë ditë.

“Mbaj mend kur kryeministri Hashim Thaçi e ka shpallur Kosovën vend të pavarur e sovran”, tha Rinesa Gllareva, nxënëse e klasës së pestë.

Ndërsa më të vegjlit, nxënësit e klasave të para, që ende nuk i kanë mësuar të gjitha shkronjat, kanë përgatitur programe të shkurtra me këngë.

Ndërkohë, në qendër të Prishtinës janë bërë përgatitjet e fundit për festën e 17 Shkurtit. Sheshet janë mbushur me simbole shtetërore, një ditë pasi opozita hoqi pankartat me thirrjet për protestë, me arsyetimin se po shkatërroheshin nga erërat e forta.

Këshilli organizativ ka ndërruar edhe fotografinë e ish-Presidentit Ibrahim Rugova, në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Për simbolet shtetërore, të cilat zunë vendin e pankartave, nuk pati përplasje, por për foton e Rugovës, Komuna reagoi duke e bërë të qartë se, ky veprim është bërë pa pëlqimin e komunës, siç e kërkon rregullorja.

Top Channel