A mund të jetë kjo vallë, kura për kancerin? Ka shpresa se, beteja kundër sëmundjes së shekullit do të arrijë të marrë një kthesë të re, me të ashtuquajturën imunoterapi të qelizave T, apo “ilaçi i gjallë” siç e quajnë shkencëtarët.

Trajtimi revolucionar do të veprojë gati si një vaksinë, duke u shndërruar në alarm të vazhdueshëm mbi rikthimin e mundshëm të sëmundjes. Mënyra si funksionon është mjaft interesante.

Nga gjaku i pacientit merren qeliza të bardha, ato që normalisht luftojnë viruset dhe bakteret në trupin e njeriut, e modifikohen gjenetikisht me qëllimin të identifikojnë dhe të sulmojnë qelizat kanceroze.

Ato zhvillohen artificialisht në laborator, përpara se të injektohen përsëri në venat e të sëmurit, nga ku do të nisin gjurmimin dhe shkatërrimin e “armikeve” të veta. Specialistë në mbarë botën janë angazhuar në perfeksionimin e kësaj teknike.

Imunoterapia e qelizave T mbushi titujt e parë të artikujve në Britani para disa muajsh, kur foshnja angleze, Layla Richards, u bë një nga të parët njerëz në botë, që i nënshtroheshin trajtimit eksperimental.

Tashmë dy studime, të cilësuara si “gur kilometrik” në luftën ndaj kancerit, kanë zbuluar potencialin befasues të terapisë. Sipas njërit prej tyre, te 94 për qind e pacientëve në fazat e avancuara të sëmundjes që iu nënshtruan trajtimit në fjalë, janë vënë re përmirësime të dukshme, që shkojnë deri në zhdukjen e shenjave klinike.

Top Channel