Kosovë, Kuvendi rinis të premten; Dërguti: Nuk do të lejojmë funksionimin normal

16/02/2016 00:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar datën e seancës së parë për sesionin pranveror, e cila u vendos të mbahet këtë të premte më 19 shkurt. Kryesia e Kuvendit vendosi përfundimisht se nuk do të ketë një seancë solemne për nder të 8-vjetorit të pavarësisë, për shkak të protestës së opozitës.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli u shpreh optimist se opozita nuk do të vazhdojë me bllokimin e punës së Kuvendit, por përfaqësuesja e opozitës Aida Dërguti tha se nuk do të lejojnë funksionimin normal të Kuvendit.
 
“Ne presim mirëkuptim. Kemi opozitë, siç e dimë të gjithë bashkërisht, shumë
të fortë. Por në të njëjtën kohë nuk duhet të jetë shkatërruese. Ata duhet të kenë respekt pak për ne sepse edhe ne kemi shumë respekt për ata”, u shpreh kryeparlamentari Veseli.
 
“Qëndrimi i opozitës është që të mos vazhdohet me mbajtjen e seancave të rregullta dhe të mos pretendojmë se jemi kthyer në normalitet. Vërej që edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi insistimin e qeverisë që ta kthejë në jetë një marrëveshje tashmë të vdekur që është marrëveshja që ka të bëjë me ‘Zajednicën’”, tha në anën tjetër nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e VV-së, Aida Dërguti. 
 
Seanca e parë plenare për vitin 2016 do të ketë 22 pika të rendit të ditës, ndër to disa marrëveshje ndërkombëtare dhe projektligje që ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave.

Top Channel