Shumë shkëlqim, shumë entuziazëm e plot yje rreth e rrotull, megjithatë në ceremoninë e sivjetshme të çmimeve “Grammy”, dritat e skenës ishin të gjitha për Taylor Swift.

Vajza që ka ngjitur kohët e fundit me një shpejtësi marramendëse shkallët e karrierës, rrëmbeu trofenë e albumit më të mirë të vitit me “1989”-n e saj.

Swift u bë gjithashtu e para femër në historinë e “Grammy Awards”, që e merr dy herë rresht çmimin aq të lakmuar. Për këngën “Bad Blood”, 26-vjeçares i kaluan dhe vlerësimet e videos më të mirë muzikore dhe albumit më të mirë vokal pop.

Ai që mund të mburret si total çmimesh, pasi mori numrin më të madh, saktësisht 5 të tilla, është reperi Kendrick Lamar. Nuk ka dalë duarbosh nga mbrëmja as këngëtari britanik, Ed Sheeran, i cili fitoi dy “Grammy”-t e para për këngën e vitit dhe performancën më të mirë “solo pop”, për hitin e tij numër një “Thinking Out Loud”.

Mark Ronson dhe Bruno Mars fituan dy çmime për hitin e tyre “Uptown Funk”, përfshirë regjistrimin më të mirë të vitit, ndërsa Meghan Trainor u shpall artistja e re më e mirë. Çmimet “Grammy” mbledhin në Los Angeles të Kalifornisë kompozitorë, interpretues, inxhinierë zëri e drejtues studiosh diskografike, për të nderuar arritjet më të mira të vitit në muzikë.

Top Channel