Suarez i vodhi golin Nejmarit, pasa e Mesit ishte për brazilianin

15/02/2016 18:55

Penalltia e ekzekutuar nga Lionel Mesi në ndeshjen kundër Celta Vigos ka ngjallur shumë debate dhe siç dëshmojnë pamjet e fundit, jo vetëm jashtë kampit “Katalanas”.

Televizionet sportive spanjolle kanë analizuar në detaje pamjet filmike duke i parë ato nga kënde të ndryshme dhe nga ajo që shihet duket se pasa e asit argjentinas nuk ka qenë për Luis Suarez, ashtu siç u shkruajt fillimisht në mediat sportive.

Sipas analizës së televizioneve spanjolle, Mesi e nisi topin për brazilianin Nejmar, por Suarez u tregua më i shkathët duke e shtyrë i pari topin në rrjetë.

Këtë pretendim, mediat iberike e bazojnë në faktin që fill pas marrjes së 11-metërshit, braziliani Nejmar i afrohet argjentinasit dhe nga ajo që i pëshpërit në vesh kuptohet vetëm “do të bëjmë”. Këtu mediat thonë se flitet për një skemë të ushtruar prej të dyve në stërvitje.

U tha, u bë! Messi pranoi që të mos godasë kuadratin nga pika e bardhë, por ta pasojë topin lehtë në të djathtë, ku për fatin e keq të Nejmar ishte Luis Suarez i pari që e arriti.

Pas golit, Nejmar i drejtohet Suarezit me gjasa duke i kërkuar llogari. Gjithçka mbyllet me një shpullë shpotitëse të brazilianit ndaj sulmuesit uruguajan dhe me shaka mes tyre dhe lojtarëve të tjerë të skuadrës.

Top Channel