Maqedoni, ministri i Brendshëm: Arrestimi i Themelkos, “i ligjshëm”

15/02/2016 00:00

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski ka hedhur poshtë pretendimet e kryetarit të komunës së Pustecit, Edmond Themelko, sipas të cilit, të premten e kaluar ishte arrestuar në mënyrë të paligjshme nga policia maqedonase, pa urdhër gjykate.

Spasovski bëri të ditur se, Themelko është ndaluar me urdhër të Prokurorisë Speciale, si i akuzuar për përfshirje në manipulime zgjedhore në Maqedoni.

“Aktivitetet e ndërmarra në kuadër të aksionit ‘Titaniku’ i ka udhëhequr Prokuroria Speciale, ndërsa ne kemi vepruar në bazë të urdhrave të saj. Pra, gjithçka që kemi ndërmarrë ka qenë në bazë të urdhrave të Prokurorisë Speciale”, tha Oliver Spasovski.

Ndërkohë, të hënën në gjykatë është paraqitur edhe Ismet Guri, anëtari i Komisionit zgjedhor komunal në Çair, i dyshuar për asgjësimin e materialit të zgjedhjeve lokale në vitin 2013. Prokuroria Speciale kërkoi të premten masë paraburgimi për të, por gjykata e refuzoi këtë kërkesë dhe i caktoi atij një masë tjetër sigurie, atë për “ndalimin e kontaktit me disa persona të caktuar”.

“Për të parën herë, vendimi i gjykatës është në rregull dhe kam besim se, hetuesia do ta bëjë punën e saj”, tha Ismet Guri, anëtari i Komisionit zgjedhor komunal të Çairit në vitin 2013.

Të hënën në gjykatë janë paraqitur edhe persona të tjerë, për të cilët Prokuroria Speciale kërkoi paraburgim, në mesin e të cilëve edhe ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska.

Top Channel