8-vjetori i Pavarësisë, çmimi letrar “Azem Shkreli” për Demollin

15/02/2016 00:00

Aktivitetet e axhendës festive të 8-vjetorit të Pavarësisë kanë nisur tashmë në Kosovë. Në një ceremoni janë ndarë çmimet letrare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Çmimin kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli”, autorit të mbi 30 veprave për fëmijë, Arif Demolli, ia dorëzoi ish-shoku i klasës, kryeministri Isa Mustafa.

“Që nga viti i parë i shkollës fillore ka qenë njeri, prej të cilit kemi mësuar shumë. Është njeri, i cili ka një krijimtari të mrekullueshme, që siguron gëzimin e fëmijëve, ka zhvilluar ëndërrimin e fëmijëve dhe ka krijuar gjuhë të posaçme për fëmijë, që se kanë bërë të tjerët”, tha Isa Mustafa.

Demolli është autor tekstesh shkollore, ndërsa ndër veprat e tij më të njohura është vëllimi me tregime për fëmijë, “Lushi, si askushi”.

“Kam kënaqësi të veçantë, që çmimin e mora nga kryeministri. Kemi qenë shokë klase dhe shokë fëmijërie. Vet formulimi ‘vepër jetësore’ tingëllon pak e trishtueshme, sepse duket sikur ka marrë fund gjithçka”, tha Arif Demolli, shkrimtar.

Për 8-vjetorin e Pavarësisë, qeveria hapi në Pallatin e Rinisë një panair njëditor të bizneseve, që prezantojnë vendet e lira të punës. Ndërkohë, axhenda e Pavarësisë vazhdon me aktivitete sportive e kulturore, ndërsa në datën 16 shkurt vijon me një orë mësimi kushtuar shpalljes së Pavarësisë në të gjitha shkollat.

Në ditën e tretë të festimeve, në datën 17 shkurt nuk do të zhvillohet seanca solemne tradicionale e Kuvendit, por kulmi i programit festiv të organizuar nga qeveria do të jetë parakalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Top Channel