Bosnje Hercegovina ka aplikuar zyrtarisht për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, një gur ky kilometrik në përpjekjet e vendit ballkanas për të tejkaluar ndasitë etnike dhe politike.

Negociata edhe më të vështira dhe reforma ndodhen përpara, gjithmonë nëse ekzistojnë shanset që kërkesa të pranohet. Fqinji i saj, Kroacia, u anëtarësua në vitin 2013.

Lëvizja e Bosnjes vjen pas më shumë se dy dekadash që nga konflikti 3-vjeçar që u mori jetën rreth 100 mijë personave, kur Jugosllavia u shpërbë.

Shefja e Politikës së Jashtme të Unionit, Federica Mogherini e ka konsideruar vendimin e Sarajevës zyrtare si një hap përpara drejt unitetit europian.

“Në një kohë kur vetë Unioni është vënë në pikëpyetje, kur shohim që tek fqinjët tanë ka kaq shumë energji dhe vullnet për t’u bashkuar dhe punuar fort për të përshtatur vendet, shoqëritë, ekonomitë dhe institucionet e tyre sipas standardeve evropiane, ndjejmë një ndjenjë përgjegjësie që e kemi gjithashtu ndaj qytetarisë së BE-së”, ka deklaruar Mogherini.

Integrimi në Europë shihet si një mënyrë për të ndihmuar ekonominë e sëmurë të Bosnjes dhe tejkalimin e reputacionit të saj për praninë e theksuar të korrupsionit, që tremb investitorët.

Marsin e vitit të kaluar, ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Bosnja nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që kishte mbetur peng që prej vitit 2008, duke i hapur kështu rrugë aplikimit për anëtarësim.

Top Channel