All Star Game nderon veteranin Kobe Bryant (Video)

15/02/2016 11:40

Konferenca e Perëndimit fiton sërish përballjen me atë të Lindjes në NBA All Star Game. Në “Air Canada Center”, Stephen Curry e të tjerë i dhanë këtë sukses Perëndimit me rezultatin 196-173, në një ndeshje që ishte e fundit për Kobe Bryant. Në Toronto, ylli i Los Angeles Lakers, për të cilin kjo ishte sfida e 15 All Star në karrierë, u bë protagonisti absolut, duke u nderuar me duartrokitje të gjata nga të gjithë të pranishmit, ndërkohë që u shfaqën edhe 2 video të përgatitura për nder të tij.

All Star Game e këtij viti ishte një ndeshje ku fjala “mbrojtje” për një natë u zhduk nga fjalori, me skuadrat që dhanë spektakël me aksionet e tyre. Kobe Bryant shënoi vetëm 10 pikë, por pavarëssht kësaj 37-vjeçari u argëtua së bashku me ata që cilësohen si pasuesit e tij: Stephen Curry apo Russell Westbrook. Pjesa e parë e këtij spektali sportiv përfundoi me rezultatin 92-90 për skuadrën e Perëndimit.

Në periodën e tretë filluan të shfaqen Westbrook dhe Curry. Basketbollisti i Oklahomës shënoi 11 pikë në 4 minutat e para, ndërsa ylli i Warriors 8 të tilla, duke bërë që Perëndimi të çojë diferencën e pikëve në +16. Yjet e Konferencës së Lindjes bënë të mundur të qëndrojnë në lojë duke e shkurtuar diferencën deri në 145-136. Gjërat u morën më seriozisht në këtë përballje në periodën e fundit, kur gjuajtjet për 3 pikë të Paul, Harden dhe Thompson e rritën sërish diferencën në favor të Perëndimit, duke e çuar atë në +18.

Në fund, hyri në parket edhe Stephen Curry, i cili e rriti akoma më shumë këtë distancë pikësh +23. Në fund, Westbrook e Curry shënuan respektivisht 31 dhe 26 pikë, por ai që bëri më mirë se ta ishte Paul George me 41 pikë, duke iu afruar ndjeshëm rekordit të një legjende të NBA si Wilt Chamberlain.

Top Channel