“Një miliard në këmbë”, marshim kundër dhunës ndaj grave

14/02/2016 00:00

Kosova për të katërtin vit me radhë i është bashkuar fushatës “Një miliard në këmbë”, duke marshuar në sheshet kryesore të Prishtinës kundër dhunës ndaj grave.

Sipas hulumtimeve, format e dhunës në Kosovë janë të ndryshme ku mbi 48% e qytetarëve kanë përjetuar forma të ndryshme të ngacmimit seksual ndërsa 62% kanë përjetuar dhunë në familje.

“Janë disa forma të dhunës se si ushtrohet ajo, dhuna fizike, psikologjike, ekonomike dhe seksuale. Më e shpeshta është dhuna fizike ose më e dukshme dhe më shpesh e raportuar, ndërsa format e tjera të raportimit, ndoshta për shkak të mungesës së vetëdijes së grave dhe qytetarëve të Kosovës mbi atë se cilat janë të drejtat e tyre, shpesh edhe nuk dinë t’i dallojnë këto forma të dhunës”, u shpreh Adelina Berisha, koordinatore e  Rrjetit të Grupeve të Grave.

Ngritja e vetëdijes për raportim të dhunës, do të jetë edhe fokus i Rrjetit të Grupeve të Grave, ku ndër të tjera më 25 shkurt, do të lansohet edhe një aplikacion për telefona të mençur për raportim të dhunës.

Mungesa e ambienteve të caktuara pas largimit nga familjet e dhunshme, sipas hulumtimeve është një tjetër faktor që ndikon në mos raportim të dhunës.

Në mungesë të banesave sociale për këtë kategori, në Kosovë ekzistojnë strehimore ku viktimat mund të qëndrojnë për 6 muaj, ku trajtohen në aspektin psiko-social dhe marrin trajnime për aftësime profesionale.

Fushata “One Billion Rising” organizohet në 190 vende të botës, ku përmes vallëzimit dhe aktiviteteve të ndryshme, protestohet kundër dhunës ndaj grave.

Top Channel