Sfida e ‘snajperëve’ në NBA, Thompson mposht ‘vëllanë’ Curry

14/02/2016 00:00

Sfida e shumëpritur e snajperëve të Golden State mes Stiphen Curry dhe Kley Thompson përfundoi me fitoren e këtij të fundit, duke bërë që për të dytin vit radhazi, titulli i kampionit për gjuajtjet nga distanca e 3 pikëve t’i shkojë një anëtari të skuadrës kampione në fuqi të NBA.

Në këtë garë të veçantë, Thompson dhe Curry, i quajtur ndryshe edhe “Splash Brothers”, u përballën në raundin e fundit me Thompson që fitoi 27 pikë kundrejt 23 të Curry, që gjithsesi me shumë sportivitet festoi fitoren e shokut të tij të skuadrës.

Në vendin e tretë, për gjuajtjet nga distanca e tre pikëve, u rendit i riu i Phoenix Suns, Devin Booker me 16 pikë të fituara në raundin finale.

Në raundin paraeliminator, Kley Thompson u rendit i pari në këtë garë të snajperëve amerikanë të NBA me 22 pikë, vetëm 1 më shumë se Curry. James Jarden, J.J Redick dhe Devin Booker shënuan 20 pikë në këtë raund dhe për këtë arsye u deshën të bëjnë një tjetër sfidë mes tyre në një kohë shtesë prej 30 sekondash për të përcaktuar se cili prej tyre do të kalonte në finale dhe fitorja i takoi pikërisht basketbollistit 19 vjeçar të Suns.

Përveç garës për gjuajtjet nga distanca e 3 pikëve, në mbrëmjen e 13 shkurtit u zhvillua edhe ajo e gjuajtjeve me zhytje dhe aftësive teknike, ku fitues rezultuan La Vine dhe Town.

Fundjava e All Star Game të NBA do të arrijë kulmin me sfidën që do të luhet në “Air Canada Center” të Torontos, mes yjeve të Konferencës së Perëndimit dhe atyre të Konferencës së Lindjes.

Top Channel