Premier League, Arsenal përmbys rezultatin me Leicester dhe ngjitet në vendin e dytë

14/02/2016 00:00

Danny Welbeck u rikthye me një gol të rëndë në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, kundër Leicester, duke i dhënë mundësinë Arsenalit të ngushtojë diferencën më kryesuesit e Premier League në vetëm 2 pikë.

Sulmuesi britanik i cili mungonte në fushat që prilli i vitit të shkuar, zbriti në fushën e lojës 7 minuta para përfundimit të takimit dhe shfrytëzoi një krosim të Mesut Ozil për të sigluar fitoren e “Topçinjve”.

Takimi kaloi nëpër faza shumë interesante, me një pjesë të parë shumë të luftuar nga të dyja skuadrat dhe me Leicester që kaloi në avantazh në minutën e fundit. Një ndërhyrje e parregullt nga Koscielny i dha mundësinë miqve të shënojnë golin me të zakonshim Vardy.

Pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit, që filluan të rrisin ndjeshëm epërsinë pas minutës së 54-t, minutë kur u largua me karton të kuq Simpson. Për të mbërritur te goli i barazimit Arsenali duhej të priste minutën e 70-të, kur pas një kombinacioni Giroud-Walcott, ky i fundit e rrëshqiti topin në rrjetë.

Presioni i vazhdueshëm i vendasve u shpërblye me golin e Welbeck në minutën e 95-të.

Arsenali ngjitet përkohësisht në vendin e dytë, në pritje të ndeshjes së pasdites Manchester City-Tottenham, dhe ndërkohë rigjen edhe një nga pikat e forta të skuadrës, Danny Welbeck, në fazën më të rëndësishme të sezonit.

Top Channel