Kosovë, fushatë dhe antifushatë për protestën e “pavarësisë”

14/02/2016 00:00

Përfaqësues të opozitës kosovare dhe të qeverisë kanë takuar ditët e fundit struktura partiake dhe përfaqësues të sindikatave, për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe protestën e 17 shkurtit.

Partitë opozitare kanë mbledhur të shtunën strukturat partiake nëpër disa qytete, për të mobilizuar sa më shumë qytetarë për protestën, ndërsa nga Prishtina, deputeti Albin Kurti bëri thirrje për një protestë masive.

“Në datën 17 shkurt le të mblidhemi bashkë në sheshin ‘Skënderbej’, për t’i dhënë goditjen përfundimtare kësaj qeverie të korruptuar e të kriminalizuar”, tha Albin Kurti, deputet i Vetëvendosjes.

Nga ana tjetër, edhe kryeministri Isa Mustafa, i cili ditëve të fundit ka takuar përfaqësuesit e të gjitha sindikatave, organizatave të luftës dhe – të shtunën, – edhe të rinjtë, u shpreh i bindur se qytetarët nuk mbështesin protestat e dhunshme të opozitës.

“Askush nuk e ka në pronësinë e vet, që ai të dalë në emër të qytetarëve, ose në emër të të rinjve dhe të thotë se ata mendojnë kështu. Ja ku janë të rinjtë këtu, këta mund të flasin në emër të tyre dhe të thonë se çfarë mendojnë për Kosovën, për shtetin dhe për ardhmërinë e tyre. Ne jemi të detyruar t’i dëgjojmë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Ndërkohë që kryeministri Mustafa ka ftuar qytetarët, që të festojnë 8-vjetorin e Pavarësisë në mënyrë të qetë dhe duke refuzuar protestat e opozitës, këta të fundit po u bëjnë thirrje qytetarëve që në ditën e Pavarësisë të dalin sa më të shumtë në protesta.

Top Channel