Bayern, Badstuber edhe për 3 muaj jashtë fushave

14/02/2016 00:00

Telashet nuk kanë fund për Bajernin e Mynihut. Skuadra bavereze humbet shërbimin e një tjetër mbrojtësi, kur kanë mbetur edhe dy javë nga ndeshja e Championsit me Juventusin.

Bëhet fjalë për Holger Badstuber, i cili pësoi frakturë në kaviljen e djathtë, duke iu bashkuar Boateng e Javi Martinez në infermieri.

Sipas një njoftimi në profilin e tij, në rrjetin social Twitter, Badstuber do të duhet t’i nënshtrohet një operacioni, që do ta mbajë atë jashtë fushave të lojës për 3 muaj.

Kjo është e disata herë, që Badstuber bëhet viktimë e dëmtimeve. Më parë ai kishte pësuar dëmtime në sezonin 2013-2014, kur nuk zhvilloi asnjë ndeshje, ndërkohë që edhe në fillimin e këtij sezoni qëndroi jashtë fushave për një kohë të gjatë.

Guardiola duhet të mendojë tashmë sesi duhet ta sajojë repartin e mbrojtjes, ku i vetmi lajm pozitiv për të është rikthimi në stërvitje i Medhi Benatia.

Top Channel