Triumfi ndaj Napolit, Allegri kërkon të ulë euforinë

14/02/2016 00:00

Juventusi arriti të triumfojë ndaj Napolit, me rezultatin 1-0 në Torino, për të marrë edhe kryesimin në Serie A, gjë që ka shtuar entuziazmin te tifozët e “Zonjës së vjetër”. Megjithatë, trajneri Massimiliano Allegri preferon të tregohet i kujdesshëm dhe kërkon të ulë euforinë, duke deklaruar se llogaritë për këtë sezon janë ende të hapura.

“Fituam një ndeshje të rëndësishme, por rruga për të fituar titullin është ende e gjatë, – tha Allegri. – Kemi shumë ndeshje për të zhvilluar deri në fund të sezonit. Meritën për këtë fitore e kanë të gjithë futbollistët, pasi janë përmirësuar ndjeshëm në çdo aspekt. Sfida me Napolin ishte një test i fortë për ne, sidomos në aspektin psikologjik”.

Ndërsa trajneri i Napolit, Maurizio Sarri deklaroi se, Juventusi është një skuadër e një tjetër niveli dhe se, kjo ndeshje u vendos nga një devijim i mbrojtjes së skuadrës së tij.

“Juventusi është dukshëm një ekip që i përket një tjetër kategorie, – tha Sarri. – Luajtëm si të barabartë ndaj tij. Sfida u vendos nga një gjuajtje e devijuar, pasi ishte bllokuar dhe me shumë pak raste. Pothuajse nuk lejuam asgjë në mbrojtje, edhe pse në sulm bëmë shumë pak”.

Top Channel