Kosovë, vijojnë takimet e Veselit me ambasadorët

12/02/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vazhduar takimet me ambasadorët e vendeve kryesore europiane, për të diskutuar për krizën politike dhe zgjedhjen e presidentit të ri.

Takimin e parë me ambasadoren e Gjermanisë, Angelika Viets, kryeparlamentari Veseli e ka zhvilluar në Ambasadën gjermane në Prishtinë, ndërsa ambasadoren e Francës, Maryse Daviet, dhe ambasadorin e Italisë, Andreas Ferrarese, i ka pritur në kabinetin e tij në Kuvend.

Pas takimeve me Veselin, ambasadorët kanë refuzuar të japin detaje të takimeve, por treguan se janë informuar nga kreu i Kuvendit se procesi i zgjedhjes së presidentit do të jetë transparent dhe në përputhje me Kushtetutën.

Sipas komunikatës për media të lëshuar nga kabineti i kryeparlamentarit kosovar, ambasadorët kanë shprehur shqetësimet e qeverive të tyre për pamjet e dhunshme në Kuvendin e Kosovës, të cilat – sipas tyre, – përveç se janë të papranueshme dhe të dhimbshme, kanë edhe efekte të dëmshme për proceset integruese, në radhë të parë për procesin e liberalizimit të vizave.

Përmes komunikatës, Veseli ka bërë të ditur se i ka siguruar ambasadorët, që procesi i zgjedhjes së presidentit do të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Pas takimeve me ambasadorët, pasdite Veseli ka pritur në takim edhe shefin e zyrës së Bashkimit Europian, Samuel Zhbogar, me të cilin ka diskutuar gjithashtu zhvillimet e fundit dhe procesin e zgjedhjes së presidentit.

Top Channel