Kosovë, 60 mijë persona pa pensione nga periudha e paraluftës

12/02/2016 00:00

Në Kosovë janë rreth 60 mijë kontributdhënës, të cilët nuk mund të marrin pensionet e tyre për periudhën e paraluftës, pasi në vitin 1999, gjatë largimit nga Kosova, Serbia mori me vete edhe paratë e Fondit të Pensioneve.

“Para luftës kam 24 vite e 8 muaj punë, mirëpo ato kontribute i ka marrë Serbia dhe për to nuk po interesohet as shteti ynë. Kjo është puna kryesore, të cilën shteti ynë është dashur ta padisë, të bënte ankesë. Shteti duhet ta kërkojë këtë gjë, madje ta dërgojë edhe në Kombet e Bashkuara. Njeriu kur punon dhe ka paguar kontribute, ato vite punë i takojnë me të drejta ndërkombëtare çdokujt”, tha Qerkin Makolli, ish-arsimtar i dalë në pension.

Në vitin 2012, shteti serb u detyrua me një vendim të Gjykatës së Strasburgut që t’i kthejë Kosovës mbi një miliard euro pensione, gjë që ende nuk ka ndodhur. Për këtë, Avokati i Popullit i është drejtuar Komitetit të Ministrave në Këshillin e Europës.

“Kemi bërë një hulumtim dhe vlerësim mbi të gjithë sistemin ligjor të Serbisë për pensionet. Kemi shqyrtuar dështimet dhe shkeljet që ata kanë bërë gjatë procesit, në përpjekje për të shmangur zbatimin e këtij vendimi. Këto rezultate i kemi dërguar në formën e një opinioni. Kemi konfirmim nga Komiteti i Ministrave që është pranuar ky dokument”, tha Hilmi Jashari, Avokat i Popullit.

Opinioni i Avokatit të Popullit do të shqyrtohet pas një muaji në takimin e radhës të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Europës.

Top Channel