Ndryshimi i “Newborn”-it, tashmë me miratimin e MKRS-së

12/02/2016 00:00

Monumenti “Newborn” në Prishtinë do të ndryshojë pamje si çdo vit, por në 8-vjetorin e Pavarësisë, për ndërhyrjen e radhës, autorit Fisnik Ismajli i duhet miratim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pasi tashmë është nën mbrojtjen shtetërore, si monument i trashëgimisë kulturore.

Ideja për ndryshimin e ri të obeliskut të pavarësisë i është prezantuar komisionit, ndërsa në prag të vendimit, Ismajli tha se do të përcillet një mesazh i fortë lidhur me aktualitetin në Kosovë, duke lënë mister deri më 17 shkurt ngjyrat, por edhe mesazhin konkret.

“Ka të bëjë me një gjendje të caktuar në të cilën është Kosova sot, medoemos, sepse ‘Newborn’ gjithmonë ka dhënë një mesazh politik. Edhe kësaj radhe do të ketë një të tillë, por nuk përkon me asnjë nga subjektet politike. Unë kam këmbëngulur gjithmonë, që Newborn të mbetet jashtë ngjyrimeve politike dhe jashtë përkrahjes së një subjekti të caktuar politik”, tha Fisnik Ismajli, autor i monumentit “Newborn”.

Ngjyra e verdhë e “Newborn”-it, në 5 vitet e para pas 2008-s nuk ndryshoi.

Për herë të parë, monumenti mori pamje tjetër në 5-vjetorin e Pavarësisë, kur u ngjyros me flamujt e shteteve që e kanë njohur Kosovën, më pas me ngjyrat e uniformave ushtarake të UÇK-së dhe NATO-s. Ndërsa herën e fundit, qytetarët ishin të lirë të pikturonin vet çdo shkronjë, përveç shkronjës “E”, e cila mbeti e zezë, duke simbolizuar emigrimin masiv të kosovarëve në vitin 2015.

Top Channel